Nata e 12 e Shekspirit u rikthye për publikun pas 60 vitesh në skenën e teatrit të Korçës.
Nën regjinë e Dhimitri Milonas trupa e përzgjedhur e aktorëve arritur të sjellë një interpretim të shkëlqyer të kryeveprës shekspiriane duke përcjellë shumë emocione për publikun. Për regjisorin grek Millonas kjo ishte vepra e dytë që ai ve në skenat shqiptare të teatrove pas Medeas me teatrin Eksperimental ndërsa është shprehur se kjo komedi është shumë e përshtatshme me aktualitetin shqiptar
“Nuk kam pasur fatin të shoh shfaqjen para 60 viteve por atë që pashë në Teatrin e Korçës, është një teatër i shkëlqyer , me aktorë të shkëlqyer që punuam shumë bukur. U përpoqëm të bënim një Shekspir të qartë për të gjithë, bashkëkohor, modern që të respektoj publikun dhe veprën, që ta bëj publikun edhe të mendohet edhe te qeshë. Shekspiri është kinematografik duke i ndryshuar skenat shumë shpejt, ishte shumë bashkëkohor për periudhën që ka jetuar dhe prandaj edhe luhet akoma me shumë sukses”.
Gent Hazizi një prej aktorëve në këtë komedi është shprehur i kënaqur për premierën e cila ka shpërblyer punën e lodhshme dhe orët e gjata të provave.
Zamira Kita, drejtore e Teatrit të Korçës dhe njëherazi aktore në këtë shfaqje shprehet se fillimisht kjo sipërmarrje ishte ambicioze por bashkëpunimit me aktoret e ftuar dhe regjisorin ishte i frytshëm.
“Nata e dymbëdhjetë” u prit mes emocionesh dhe të qeshurash për publikun artdashës korçar, i cili si çdo herë kishte mbushur sallën e teatrit.